Në një mbrëmje magjike të futbollit, Kombëtarja Shqiptare shënoi edhe një arritje historike duke siguruar për herë të dytë kualifikimin në Europian, këtë herë në Europianin e vitit 2024 që do të mbahet në Gjermani. Ky sukses erdhi në ndeshjen vendimtare kundër Moldavisë, ku Kombëtarja Shqiptare arriti të marrë pikën e nevojshme përmes një barazimi të merituar 1-1.
Ky triumf ishte më shumë se thjesht një fitore sportive dhe erdhi në një kohë të veçantë - në 20-vjetorin e themelimit të Tifozave Kuq e Zi. Për ne si mbështetës të palëkundur të Kombëtares që nga themelimi, ky kualifikim është një dhuratë për përkushtimin dhe pasionin tonë të palëkundur ndaj ekipit kombëtar.
Festa e kualifikimit filloi në Moldavi dhe u përhap shpejt në të gjitha qytetet Shqiptare. Këngët dhe thirrjet e dashurisë për kombëtaren mbushën sheshet, ndërsa tifozët shprehën krenarinë dhe gëzimin e tyre në çdo kënd të vendit.
Ky moment triumfi përfaqëson jo vetëm suksesin sportiv, por edhe forcën dhe unitetin e një kombi që është bashkuar pas ekipit të tyre. Si Tifoza Kuq e Zi, kemi qenë dëshmitarë dhe pjesë e shumë sfidave dhe fitoreve, tani festojmë një arritje të jashtëzakonshme që do të mbahet mend për shumë vite.
Ndërsa festimet vazhdojnë, Tifozat Kuq e Zi janë tashmë në fazën e planifikimit për Europianin 2024. Për detajet rreth organizimit dhe aktiviteteve të planifikuara do të njoftoheni në javët dhe muajt e ardhshëm. Ky organizim pritet të jetë një nga më të mëdhenjtë në historinë e tifozërisë shqiptare, me synim të krijojë një atmosferë mbresëlënëse dhe të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit. TKZ jemi të vendosur që të bëjmë këtë ngjarje jo vetëm një festë futbolli, por edhe një demonstrim të krenarisë kombëtare dhe bashkimit në mbështetje të Kombëtares Shqiptare.
Tifozat Kuq e Zi
O sa mirë me qenë Shqiptar!