Historik i shkurtër i TKZ-së
Fillimisht, për njohurinë e të gjithëve, si emri ynë ashtu edhe parulla jonë përmbajnë qëllimisht forma gramatikore jashtë standardit gjuhësor. Arsyet pas këtij vendimi kanë pasur të bëjnë me vetë faktin se tifozët, së bashku me ikonografinë, gjuhën, këngët dhe brohoritjet e tyre i përkasin një nën-kulture urbane, dhe si të tillë nuk i durojnë dot standardet. Në anën tjetër Tifozat Kuq e Zi janë një grupim gjithëpërfshirës dhe që në fillim kemi menduar se si të gjithë shqiptarët, pavarësisht se ku jetojnë, duhet të përfaqësohen më së miri që në parullë e emër. Pra, zgjodhëm një formë të shprehuri që është e lehtë për shqiptim për secilin shqiptar dhe që secili e ndjen atë të vetën.
Gjithmonë e kemi thënë që jemi pak më tepër se tifozë. Këtë e shpreh më së miri edhe parulla jonë “O sa mirë me qenë Shqiptar!”. Kjo parullë lindi në të njëjtën kohë kur lindën edhe Tifozat Kuq e Zi. Ajo është thirrje për të gjithë ata që e ndjejnë veten krenarë që janë shqiptarë. Qëllimi ynë nuk ka qenë që të merremi me edukimin atdhetar të shqiptarëve.
E kuptojmë fare mirë se jetojmë në një kohë kur atdhetarizmi dhe prirjet e identifikimit kombëtar shikohen me nënqeshje dhe përulësi. E dimë që vlerat, të cilat dikur i kemi trajtuar si të shenjta, gjithnjë e më shumë janë duke i lëshuar rrugë kundër-vlerave moderne si lakmisë, vetjakizmit e materializmit të thatë. Më shumë se edukuese, kjo thirrje ta bën me dije se është në rregull ta duash atdheun, se ka edhe shumë e shumë të tjerë që ndjehen njësoj. Ftesa jonë thotë “Eja edhe ti me ne, kurrë më nuk do t’i këndosh Shqipërisë i/e vetmuar.”
Në fillim mendonim se kjo shprehje do të ishte vetëm e jona. Por, menjëherë e pamë se kishte shqiptarë edhe jashtë stadiumeve që mezi e kishin pritur një thirrje të tillë. Dhe ajo mori dhenë e filloi të përdorej nëpër emisione të ndryshme televizive e radiofonike, këngë e deri edhe nëpër fushata zgjedhore. Urojmë që kjo shprehje t’ia ngrohë gjithmonë shpirtin shqiptarëve e më së shumti atyre që nuk kanë rastin të dëgjojnë për çdo ditë fjalët e bukura shqipe.

Tiranë, 28 Nëntor 2012
Tifozat Kuq e Zi janë një grupim kryekëput vullnetar dhe që vetëmbahet nga të ardhurat e anëtarësimit dhe të fitimeve nga shitjet e produkteve tona. Për të lehtësuar organizimet tona dhe për t’iu ardhur sa më shumë në ndihmë anëtarëve tanë, ne kemi krijuar një rrjet të gjerë përfaqësuesish në bazë. Kemi përfaqësues në një pjesë të mirë të qendrave kryesore shqiptare në trojet etnike si Tiranë, Prishtinë, Dibër, Tuz, Gjakovë, Shkodër, Pejë, Kumanovë, Durrës, Strugë, etj. dhe kemi një shtrirje të fortë në vendet më të populluara me shqiptarë në diasporë si Angli, Gjermani, Zvicër, Itali, Danimarkë, Norvegji, Amerikë, etj. Nga ndeshja në ndeshje, ky rrjet po zgjerohet edhe në ato vende ku shqiptarët janë më të pakët në numër.
Tifozat Kuq e Zi janë tejet aktivë edhe në gjurmimin dhe rekomandimin e talenteve të reja pranë FSHF-së. Do të vazhdojmë gjithmonë që të japim më të mirën nga vetja jonë për afrimin e lojtarëve më të mirë për Kombëtaren tonë, por duhet që edhe vetë lojtarët ta japim më të mirën prej vetes së tyre për këtë Flamur e Himn.
Historiku i themelimit
Dëshira për t’u identifikuar me një emër si grup tifozerik, bëri që i ftohti i fundvitit të jetë më i ngrohtë se kurrë. Pesë djem të ndarë si copat e kësaj Shqipërie (Antoni – Tuz, Artori – Prishtinë, Burimi – Prishtinë, Faruku – Shkup dhe Valentini – Pejë) ishin ideatorë për krijimin e një tifozerie të përbashkët shqiptare pa dallim krahine, dialekti e as feje. Grupit iu bashkuan edhe katër djem të tjerë (Dardani, Fatosi, Fitimi dhe Luani) dhe më 8 dhjetor 2003 filluan bashkërendimin e punëve për jetësimin e kësaj ideje. Në datën 25 dhjetor 2003, që përkon me festën e Krishtlindjes, grupi u pagëzua me emrin ‘Tifozat Kuq e Zi’ dhe kjo datë festohet si datëlindja e TKZ-së.
Ndërsa, më 2 shkurt 2004, TKZ-ja doli për herë të parë në publik. E rastësia e deshi që edhe kjo datë të ishte një tjetër festë fetare – dita e Bajramit. Pikërisht këto dy data dhe festat fetare e tregonin më së miri mesazhin e bashkimit të shqiptarëve pa dallim besimi. Shumë shpejt grupi u zgjerua duke e shtrirë nomenklaturën e vet në të gjithë hapësirën shqiptare e jo vetëm. Kjo pasi, më herët, veç e kishim krijuar rrjetin nëpër shtete si Austri, Gjermani dhe Angli. Si një organizatë pa hierarki, me moton: “O sa mirë me qenë Shqiptar”, TKZ-ja ka arritur që të krijojë në strukturimin e saj një grup koordinues të punëtorëve më të zellshëm dhe të atyre që tashmë cilësohen si “veteranët”, për të ecur në hap me ndryshimet dhe veprimtaritë që kërkojnë këto organizime.
Gjatë të gjitha viteve të funksionimit, mbështetja financiare nuk ka munguar. Pa dashur të përmendim emra, sepse mbase mund të harrojmë dikë, e për ne të gjithë ata që kanë dhënë diçka, sado e vogël qoftë ajo, ne përulemi para tyre me shumë respekt e mirënjohje. Gjithashtu, TKZ-ja përkulet me një mirënjohje të thellë përpara të gjithë asaj liste të pafund njerëzish dhe kompanish që, duke besuar në idealin dhe punën tonë, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi na kanë ndihmuar që të ecim përpara dhe të mbërrijmë këtu ku jemi sot.