Festojmë dy dekada pasioni dhe përkushtimi, duke ndjekur endrrën e përbashkët të suksesit futbollistik dhe bashkimit në një Shqipni të vetme.
20 vite më parë ishim pak, por ishim domosdoshmëri. Lindëm nga bashkimi i një grushti të vogël njerëzish. Me dëshirën që kombëtarja jonë mos të ishte kurrë vetëm. Falë kësaj dëshire u themeluan Tifozat Kuq e Zi. Sot jemi shumë dhe madje me këtë emërtim identifikohen të gjithë tifozët shqiptar, veshur me ngjyrat kuqezi.
Ky muaj është i shenjtë për ne, ashtu si nëntori ynë. Këtë muaj festojmë 20 vjetorin me premtimin se i njëjti pasion, dëshirë dhe "detyrim" do të na mbaj në tribunë për të qënë krahë për krahë kombëtares. Ashtu si në këtë vit të 20 vjetorit kur ja dolëm të kthehemi në një Europian.Do të jemi edhe aty.
Do të jemi edhe pas Europianit. Do të jemi në të mirë e në të keq. Do të jemi gjithmonë me dashurinë e pafundme tonën, të kuqe dhe të zezë.
Në vijim mund të gjeni më shumë detaje rreth festës dhe aktiviteteve tona rreth 20 vjetorit. Prandaj ju ftojmë të na bashkoheni në këtë moment historik.
20 vjet TKZ është një rrugëtim i gjatë. Në çdo stadium shqiptar dhe të huaj ku kemi shkuar, ne kemi qenë aty për dhe me Kombëtaren tonë.
Ndërkohë që Kombëtarja është rritur profesionalisht dhe sapo e ka siguruar kualifikimin e saj të dytë në Kampionatin Europian të Futbollit, edhe ne, Tifozat Kuq e Zi, jemi rritur.
Misioni ynë i përhershëm është që ne të jemi gjithmonë të pranishëm aty ku luan ekipi ynë kombëtar, me një përkrahje të fortë dhe të palëkundur, pavarësisht nëse luan kundër një ekipi të madh apo të vogël në emër dhe pa marrë parasysh nëse loja luhet larg apo afër. Në shi apo në diell, me fitore apo me humbje, ne kemi qenë gjithmonë aty, në mbështetje të ngjyrave kuq e zi: kudo ku është ngritur flamuri ynë kombëtar, aty kemi qenë të pranishëm ne, Tifozat Kuq e Zi, të rreshtuar pas banerit tonë “TIFOZAT KUQ E ZI” dhe “O SA MIRË ME QENË SHQIPTAR!”
Ky 20-vjetor i themelimit të grupimit tonë përkon edhe me kualifikimin e Kombëtares sonë të Futbollit në Kampionatin “Euro 2024” dhe për rrjedhojë festa jonë këtë fundvit bëhet edhe më e madhe. Kremtimi madhështor do të organizohet ditën e shtunë, datë 23 dhjetor 2023, në orën 18:00, në Sheshin Skënderbej, në Tiranë.
Festa është e hapur për të gjithë, si për anëtarët aktivë dhe anëtarët ndër vite të TKZ-së, ashtu edhe për çdo shqiptar që, me zemër, e dëshiron bashkimin e të gjithë shqiptarëve anembanë botës përreth një ekipi të vetëm kombëtar.