Veprimtaritë tona

Nga udhëtimet e organizuara për ndeshjet e kombëtares, deri te aksionet tona sociale dhe humanitare, kjo faqe ofron një pasqyrë të detajuar të angazhimit tonë për të mbështetur futbollin shqiptar dhe komunitetin e gjerë.

Me qindra ndeshje të zhvilluara nga Kombëtarja Shqiptare e futbollit dhe jo vetëm, Tifozat Kuq e Zi (TKZ) kanë qenë motivuesi më i madh i lojtarëve në fushë ashtu edhe i të gjithë sportistëve që përfaqësojnë ngjyrat Kuq e Zi.

Mijëra tifozë e vullnetarë kanë bërë të mundur shpalosjen e dhjetëra koreografive nëpër stadiumet më të famshme anembanë botës, si në Gjermani, Zvicër, Qipro, Slloveni, Turqi, Islandë, Angli, Bullgari, Mal të Zi, Suedi, Irlandë, Danimarkë, Holandë, etj. Për të vazhduar më pas, shumë njerëz janë drithëruar nga emocionet, shumë të tjerë, që kanë vuajtur mungesën e atdheut, janë përlotur për ato çaste lavdie që kanë krijuar djemtë e TKZ-së. Shumë vullnetarë e vullnetmirë kanë flijuar kohën, mundin e paratë për t’i sjellë ngjyrat kuq e zi në stadium, ngjyra që na e sjellin të njëjtën ndjesi krenarie sa herë që i shohim sërish e sërish pamjet në ekran.

Pavarësisht se gjendja ekonomike e shqiptarëve lë shumë për të dëshiruar, ne asnjëherë nuk jemi ndjerë inferiorë në numër, madje edhe kur Kombëtarja jonë ka luajtur jashtë vendit. Kemi qenë të pranishëm në shumicën prej ndeshjeve, pa marrë parasysh nëse kanë qenë ndeshje miqësore apo kualifikuese, kemi pasur kundërshtarë të fortë apo të dobët. Madje, në disa raste kemi qenë edhe më shumë sesa vendasit; kujtojmë këtu dy ndeshjet e eliminatoreve të fundit, kundër Zvicrës në Lucernë dhe kundër Norvegjisë në Oslo, ku i gjithë stadiumi fliste shqip.

Një mision tjetër i TKZ-së, në ndeshjet jashtë vendit, është edhe përmirësimi i imazhit të shqiptarëve nëpër botë. E vërteta e hidhur është se për shqiptarët nuk shkruhet mirë nëpër Evropë, andaj kemi dashur të tregojmë se shqiptari është ndryshe nga ai që paraqitet nga mediat, ndryshe nga ai që na paragjykojnë. Andaj, përmirësimi i këtij imazhi të shqiptarit “me bisht” ka qenë një sfidë tjetër që TKZ-ja e ka kaluar me sukses. Nga shumica e shteteve ku kemi udhëtuar në mënyrë të organizuar si TKZ, pas ndeshjeve kemi marrë mesazhe falënderimi nga mediat, nga autoritetet organizative dhe policore të vendeve përkatëse. Kjo ka ndodhur në Holandë, Zvicër, Angli, Slloveni e në vende të tjera.

Tiranë, 28 Nëntor 2012

Debutimi i parë në stadium i Tifozave Kuq e Zi është më 18 shkurt 2004, në ndeshjen miqësore Shqipëri – Suedi, të cilën edhe e kemi fituar me rezultatin 2-1. Pastaj ka qenë edhe një ndeshje tjetër në mars të vitit 2004 kundër Islandës, e cila veç sa na përgatiti edhe më mirë për ndeshjen e parë kualifikuese për KB “Gjermani 2006”. Si për rastësi, ndeshja e parë, më 4 shtator 2004, ishte kundër Greqisë në Tiranë, e cila atëbotë vinte si kampione e saposhpallur e Evropës. Në këtë ndeshje, Shqipëria e mposhti me rezultatin 2-1 dhe kjo fitore duket se “zgjoi” te shqiptarët atë shpresën e humbur prej shumë kohësh dhe në dyert e TKZ-së “vërshuan” vullnetarë që donin të ndihmonin me punën e tyre për ndërtimin e një tifozerie më ndryshe.

Ndër koreografitë më të veçanta, padyshim se ka qenë ajo e shpalosur në ndeshjen kundër Ukrainës më 9 shkurt 2005, ku një flamur madhështor mbi 103,5m x 35m i mbuloi tribunat D1, D2 dhe D3 të stadiumit “Qemal Stafa”. Kjo koreografi bëri jehonë në të gjithë botën, duke u vlerësuar si diçka unike dhe e paparë deri atëherë.

Por, nuk ka qenë vetëm Kombëtarja e futbollit të meshkujve që ka përkrahur TKZ-ja, por të gjitha ekipet duke nisur nga U-17, U-19, U- 21 dhe Kombëtarja e futbollit të femrave dhe ajo e futbollit të sallës. Kemi qenë të pranishëm në ndeshjet e Kombëtares së basketbollit, dhe kemi përkrahur ekipet shqiptare që kanë garuar në kupat e Evropës. Kemi ndihmuar në evidentimin e talenteve shqiptare anembanë botës, duke i afruar ata edhe duke iu ndihmuar në kontaktet me Federatën Shqiptare të Futbollit.

Gjithashtu vlen të theksohet që TKZ-ja, ka incizuar dhe kërkuar nga FSHF-ja që lojtarët shqiptarë nga të gjitha trevat të mos konsiderohen të “huaj” mirëpo vendas. Me një sy vigjilent dhe shumë aktiv, TKZ-ja ka reaguar ndaj padrejtësive të ndryshme që kanë vuajtur bashkëkombësit tanë në Iliridë e Malësi. Kemi organizuar dhe kemi qenë pjesëmarrës nëpër shumë protesta ku kemi menduar se duhet ngritur zëri, kemi  kontribuar në situata të ndryshme humanitare dhe duke mbështetur familjet e ish-luftëtarëve të UÇK-së. Kemi realizuar një sërë kërkesash për bashkimin e Federatave sportive të Kosovës e Shqipërisë dhe për krijimin e një lige mbarëkombëtare. Anëtarët e grupimit tonë, përveç se janë aktivë në organizimet tifozerike, kanë shpalosur më së miri edhe anën etyre njerëzore në fatkeqësi të ndryshme që i kanë ndodhur bashkëkombësve tanë.

Përfundimisht, nga dita-ditë po përmirësohemi pavarësisht se gjithmonë ka vend për më shumë në organizimet tona e ndjejmë veten shumë të fortë për organizim të tifozëve edhe kur ndeshje tluhen jashtë Shqipërisë. Sot, 20 vjet pas krijimit, jemi këtu bashkë të mbledhur si një trup, shqiptarët nga çdo anë e globit që bashkohen me ata që jetojnë brenda Shqipërisë, asaj Shqipërie që nis në Preshevë e mbaron në Prevezë.

Në humbje e fitore, Kuq e Zi prore!

Na duhesh edhe ti!