Kush është Sabiti?
Maskota jonë, Sabiti, sot 13 vjeçar, lindi më 25 Dhjetor 2003. Por, nga erdhi ideja për Sabitin, dhe si lindi ai?
Fillimisht, duhet përmendur se Sabiti ishte një dhuratë, e premtuar për Tifozat Kuq e Zi, nga drejtori kreativ i kompanisë “Rrota”, Fisnik Ismajli, ndërsa ideatori dhe ilustruesi i Sabitit ishte Edon Muhaxheri, i cili e përshkruan kështu kohën kur iu dha detyra e dizajnimit të emblemës për Tifozat Kuq e Zi:
“Si gati çdo 19 vjeçar, edhe unë isha i fiksuar pas fitnesit. Ideja e ilustrimit të një shqiptari muskuloz, të madh dhe shumë krenar, gjithashtu, më lidhej me përshkrimin e kreshnikëve në eposin kombëtar”.
Sabitit i pëlqejnë shumë udhëtimet. Pa i mbushur ende 10 vjeç dhe “pa pasaportë e pa biletë”, ai ka qenë i pranishëm në shumë stadiume si në: Leverkusen, Belfast, Amsterdam, Paris,Stamboll, Dublin, Gjenevë, Lubjanë, Oslo e në shumë e shumë stadiume të tjera. Na thotë që nuk do të ndalet kurrë, as atëherë kur me duart e tij do të ngrejë edhe Kupën e Botës. Shpresa vdes e fundit!
Sabiti po rritet e duke parë që pjesëmarrja e femrave në TKZ ka nisur të rritet, atëherë së shpejti do të lindë nevoja që Sabitit t’ia gjejmë edhe një nuse. Sabiti na e ka besuar neve përzgjedhjen e nuses për të, për të cilën thotë se e ka vetëm një kusht: që ta ketë emrin Sabile.
Sabiti sot është një nga simbolet më të famshme shqiptare.