Kush jemi ne?

Fillimisht, për njohurinë e të gjithëve, si emri ynë ashtu edhe parulla jonë përmbajnë qëllimisht forma jokonvencionale gramatikore. Arsyet prapa këtij vendimi kanë pasur të bëjnë me vetë faktin se tifozët, së bashku me ikonografinë, gjuhën, këngët, brohoritjet e tyre i përkasin një nën-kulture urbane, dhe si të tillë nuk i durojnë dot standardet. Në anën tjetër Tifozat Kuq e Zi janë një grupim gjithëpërfshirës, dhe që në fillim kemi menduar se si të gjithë shqiptarët, pavarësisht se ku jetojnë, duhet të përfaqësohen më së miri që në parullë e emër. Pra, zgjodhëm një formë të shprehuri që është e lehtë për shqiptim për secilin shqiptar dhe që secili e ndjen atë të vetën.

Gjithmonë e kemi thënë që jemi pak më tepër se tifozë. Këtë e shpreh më së miri edhe parulla jonë “O sa mirë me qenë Shqiptar!”. Kjo parullë lindi në të njëjtën kohë kur edhe lindën Tifozat Kuq e Zi. Ajo është thirrje për të gjithë ata që e ndjejnë veten krenarë që janë shqiptarë. Qëllimi ynë nuk ka qenë që të merremi me edukimin atdhetar të shqiptarëve.

E kuptojmë fare mirë se jetojmë në një kohë kur atdhetarizmi dhe tendencat e identifikimit kombëtar shikohen me nënqeshje dhe përulësi, e dimë që vlerat të cilat dikur i kemi trajtuar si të shenjta gjithnjë e më shumë janë duke i lëshuar rrugë kundër-vlerave moderne si lakmisë, vetjakizmit e materializmit të thatë. Më shumë se edukuese, kjo thirrje ta bën me dije se është në rregull ta duash atdheun, se ka edhe shumë e shumë të tjerë që ndihen njësoj. Ftesa jonë thotë “Eja edhe ti me ne, kurrë më nuk do t’i këndosh Shqipërisë i/e vetmuar.”

Në fillim mendonim se kjo shprehje do të ishte vetëm e jona. Por, menjëherë e pamë se kishte shqiptarë edhe jashtë stadiumeve që mezi e kishin pritur një thirrje të tillë. Dhe ajo mori dhenë dhe filloi të përdorej nëpër emisione të ndryshme televizive e radiofonike, këngë, e deri edhe nëpër fushata zgjedhore. Urojmë që kjo shprehje t’ia ngrohë gjithmonë shpirtin shqiptarëve, e më së shumti atyreve që nuk kanë rastin të dëgjojnë për çdo ditë fjalët e bukura shqipe.

Tifozat Kuq e Zi janë një grupim kryekëput vullnetar dhe që vetëmbahet nga të ardhurat e anëtarësimit dhe të fitimeve nga shitjet e produkteve tona.

Për të lehtësuar organizimet tona dhe për t’iu ardhur sa më shumë në ndihmë anëtarëve tanë, ne kemi krijuar një rrjet të gjerë përfaqësuesish në bazë. Kemi përfaqësues në një pjesë të mirë të qendrave kryesore shqiptare në trojet etnike si Tiranë, Prishtinë, Dibër, Tuz, Gjakovë, Shkodër, Pejë, Kumanovë, Durrës, Strugë, etj. dhe kemi një shtrirje të fortë në vendet më të populluara me shqiptarë në diasporë si Angli, Gjermani, Zvicër, Itali, Danimarkë, Norvegji, Amerikë etj. Nga ndeshja në ndeshje ky rrjet po zgjerohet dhe pas ndeshjes së zhvilluar në Hollandë kemi kënaqësinë të themi që një derë e re e Tifozave Kuq e Zi u hap edhe në këtë vend.

Tifozat Kuq e Zi janë tejet aktivë edhe në gjurmimin dhe rekomandimin e talentëve të rinj pranë FSHF-së. Do të vazhdojmë gjithmonë që të japim më të mirën nga vetja jonë për afrimin e lojtarëve më të mirë për Kombëtaren tonë, por duhet që edhe vetë lojtarët ta japim më të mirën prej vetes së tyre për këtë Flamur e Himn.

O sa mirë me qenë shqiptar!